Votimi në kohën e internetit

Çdo sistem demokratik bazohet në votim të besueshëm. Jemi dëshmitarë të një sistemi votimi të vjetër disa shekuj. Mund të themi lirisht që nuk kemi shkuar më larg se sistemi në antikitet ku votohej me gurë të rrumbullakët të vegjël.

https://mark.culaj.com/wp-content/uploads/2020/02/1.jpg

Kutia e votimit

Ne sot votojmë me laps dhe letër, shumë anakronike, besoj. Kemi shumë fletë votime të pavlefshme edhe shumë nga to bëhen të tilla pa qëllim të votuesit.

https://mark.culaj.com/wp-content/uploads/2020/02/2.jpg

Sot kontestimet janë të shumta dhe rezultatet dalin me vonesë. Sistemi është i kushtueshëm dhe kërkon përgatitje që zgjasin në kohë. Po si do të duhej të jetë votimi në kohën e internetit?

1. I shpejtë, rezultatet janë të menjëhershme
2. Me kosto të ulët, gati zero
3. I besueshëm për të gjithë
4. I verifikueshëm nga çdo kush
5. I fshehtë pa mundësi dekonspirimi
6. I shtrirë në gjithë globin, mund të votohet kudo
7. Identifikimi i padyshimtë i votuesve, duke mbajtur votën e tij sekrete nga çfarëdo autoriteti
8. Pa mundësi manipulimi
9. Pa mundësi shitblerjes së votës
10. Pa mundësi keqpërdorimi


Nuk do të hy njëherë në detajet teknike si mund të organizohet një sistem i tillë votimi. Kjo do të jetë tema e artikujve në vijim. Do të nisem nga supozimi që një gjë e tillë mund të organizohet dhe do ti përmblidhte kriteret e parashtruara. Ky artikull ka për qëllim të shtjellojë funksionimin e Demokracisë direkte përmes këtij votimi. Mund lehtë të nënkuptohet se nevojiten ndryshime jo të vogla në Kushtetutë dhe ligje, por edhe këtë pikë po e tejkaloj me bindje që një gjë e tillë mund të arrihet përmes një tranzicioni gradual.

Po si do të funksiononte një shoqëri me Demokraci direkte dhe cilat janë problemet dhe sfidat? Cilat janë përparësitë dhe çfarë problemesh mund të sjellë? A do të krijojmë një shoqëri më të mire dhe më të drejtë për të gjithë?

Pyetja e pare  e rëndësishme është si në vijim: A mund t’ia dorëzojmë dhe a duhet t’ia dorëzojmë vendimmarrjen masave të gjëra popullore?

A do të rrezikojmë me ketë që të vendosë vetëm popullizmi i masave të gjëra që do të  na sillte rezultate të një paste gri ku nuk spikat asgjë? A do të zbehnim rolin e elitës intelektuale deri në atë masë sa ta ngadalësojë të gjithë zhvillimin e shoqërisë?

Unë jam i mendimit se një shoqëri e tillë do të  ishte shumë funksionale dhe do të gëzonte një shëndet shoqëror shumë të mirë. Do të duhej në vend të pare të ketë një ekzekutiv të mire funksional dhe profesional. Numri i ministrive do të ishte një shifror me staf të përhershëm  të punësuar, i cili nuk do të ndryshohej me zgjedhje. Kryeministri i zgjedhur do të formonte një staf të vetin në diskrecionin e tij. Ministrat do të zgjesheshin me votim, pra nuk do ti emërtonte Kryeministri. Presidenti i vendit do të zgjedhej me votim dhe do të  kishte rolin ceremonial, do të përfaqësonte unitetin e kombit dhe do të udhëhiqte politikën e jashtme si dhe do të ishte kryekomandant i forcave të armatosura. Zgjedhjet e Kryeministrit dhe të Presidentit do kishin së paku distance kohore prej dy vitesh. Shembull , Presidenti do të zgjedhej në  vitin e brishtë (Të plotpjesëtueshëm me numrin 4, kurse Kryeministri pas dy vitesh) .Parlamentin do ta zëvendësonte vota gjithë popullore dhe qeveria do të propozonte ligje për miratim si në Parlament sot.

Shteti do formonte një kriptotoken të bazuar ne teknologjinë bllokçain, i cili do shërbente si njësi bazë për gjitha kalkulimet dhe transaksionet dhe me të cilën do mbahej bilanci i shtetit. Kjo nuk do ishte një valutë e re por një njësi barazimi. Valutat si Euro, Dollari etj do qarkullonin edhe më tej si mjet pagese por do mundësohej qarkullimi i barabartë i kriptotokenit shtetëror pa pengesa për të Gjithë ata që dëshirojnë ta përdorin.

Shteti do të caktonte një shumë bazë të të hyrave që do ti ndahej çdo shtetasi e njohur si ‘Universal Basic Income’. Në deklarimin e taksave, ata që kanë të hyra të larta do ta kthenin këtë shumë bashkë me taksat  tjera që do të ishin vetëm të tri kategorive: Tatim mbi pronën, qarkullimin (TVSH) dhe tatim mbi  fitimin.

Për çdo votim, që do të ishte i shpeshtë, qytetarët do të shpërbleheshin me një shumë të vogël me kriptotokena dhe mospjesëmarrja në votim do të taksohej në mënyrë automatike.

Nga ana e partive nuk do ndryshonte shumë, ato do vazhdonin të ekzistojnë dhe do bënin fushata dhe lobime sipas bindjeve dhe interesave politik. Do të rritej ndikimi i shoqërisë civile, ndërtuesve të opinionit (opinion maker) dhe të analistëve të ndryshëm.

Mbrojtja e grupeve vulnerabël, pakicave etnike dhe minoriteteve do duhej të rregullohej me aprovimin apriori të të gjitha Rezolutave të OKB-së BE-së dhe organeve tjera ndërkombëtare me respektimit të standardeve më të larta nga kjo fushë. Këto nuk do të mund të hidheshin në votim apo të kontestohen. Për një varg çështjesh, Kushtetuta do parashikonte një shumicë të nevojshme të cilësuar si edhe një numër votash paraprake që të mund të hedhësh në votim (referendum). Për disa çështje të ndjeshme mund të parashikohet votimi i dyfishtë në afat kohor 6 ose 12 muaj para aprovimit definitiv.

Drejtën për thirrje të një votimi do e kishte Presidenti, Qeveria dhe grupet qytetare ose politike që mbledhin një numër të caktuar të votave paraprake.

Shkruar nga Mark Culaj