Ekonomia në kohën e Corones

17 Mars 2020
Shkruar nga Mark Culaj
Ndoshta kjo situatë me karantinë do të kalojë pas dy ose tri javësh dhe ky artikull do ta humb aktualitetin e tij deri tek një pandemi tjetër, por mësimet që do t’i nxjerrim mund të na shërbejnë në ndërtimin e një ekonomie më të qëndrueshme dhe më të pavarur nga rrethanat në të cilat nuk mund të ndikojmë.
Ta supozojmë për momentin një situatë distopike ku njerëzit do të detyroheshin të qëndrojnë të mbyllur në shtëpitë dhe banesat e tyre pa mundësi kontakti fizik dhe me mundësi shumë të kufizuar të qarkullimit. Kjo situatë mund të imponohet nga frika e infektimit, vetë-disiplinimi ose nga imponimi i autoriteteve shtetërore. Supozojmë po ashtu që mundësitë e qarkullimit të mallrave ndërmjet shteteve të jetë mjaft i limituar, me vonesa të gjata, ose tërësisht i bllokuar.
Në këtë studim do të përqendrohem në situatën e përgjithshme në Kosovë, por besoj se mund të adaptohet me pak ndryshime së paku edhe në vendet ballkanike.

  1. Financat
    Kosova ka si monedhë Euro-n, pra nuk mund të shtypë kartëmonedha të reja dhe përmes tyre, duke rritur inflacionin, të bej një rishpërndarje të pasurisë ose të financojë projektet qeveritare. Të hyrat kryesisht vijnë nga doganat dhe nga dërgesat që vijnë nga diaspora. Të dyja nga këto burime mund të ulën dukshëm. Të hyrat tjera si grante dhe donacione nga shtetet tjera mund të tkurrën ose të ndalën tërësisht. E gjithë kjo mund të ulë aftësinë e kthimit të kredive ekzistuese dhe si pasojë të zvogëlojë gjasat për marrje të kredive të reja. Në pjesën e dytë do t’i japim disa zgjidhje inovative dhe sugjerime se si mund të tejkalohet kjo situatë.
  2. Shëndetësia
    Kapacitetet ekzistuese të hospitalizimit mund të arrijnë në një pikë të ngopjes, ku për shembull në çdo 100 shtretër lajmërohen 200 ose 300 pacientë që kërkojnë ndihmën spitalore. Kjo do sjellë mjekët dhe stafin e spitaleve si dhe autoritetet shtetërore para dilemave jo të vogla morale që të vendosin kush vdes dhe kush jeton. Shteti do të mund t’i shtetëzojë (përkohësisht ose me kompensim) pallatet dhe banesat e shumta të pabanuara dhe t’i shndërroi ato në spitale të përkohshme duke mobilizuar të gjithë potencialin mjekësor të papunë si dhe duke angazhuar fakultetet e mjekësisë (atë shtetëror si dhe atë privat). Është e sigurt që masat e rrepta të parandalimit mund të ndikojnë dukshëm në zbutjen e kësaj emergjence. Në veçanti mund të jetë problematike situata me barna dhe medikamente, por kjo është një fushë në vete dhe do të trajtohet në një artikull të veçantë.
  3. Arsimi
    Arsimi do duhej të kalonte tërësisht on-line duke krijuar një autoritet të pavarur kombëtar që do mbikëqyrte cilësinë dhe vijueshmërinë. Kjo do të mund të arrihej përmes ndarjes së dhënies së mësimit nga testimi apo vlerësimi i cili do duhej të jetë anonim dhe së paku i dyfishtë. Në ketë drejtim besoj se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme por duhet të ketë vëmendje të shtuar nga autoritetet që të evitohen keqpërdorimet, intervenimet, nepotizmi dhe servilizmi. Testi i PISA-s dhe të ngjashëm në nivel ndërkombëtar mund të jenë vlerësuesi më i mirë i punës ne ketë fushë.
  4. Ushqimi
    Sigurimi i ushqimit mund të jetë pjesa më kritike në ekonominë e këtij projeksioni distopik sidomos nëse marrim parasysh një situate me mundësi financiare të zvogëluara. Ndërtimi i shpejtë i fermave vertikale, përdorimi i kulmeve dhe ballkoneve të ndërtesave në qytetet dhe shndërrimi i tyre në kopshte dhe sera. Përdorimi i serave shtëpiake më ndriçim LED artificial dhe teknologjive të reja të prodhimit bujqësor si ‘hidroponics’, ‘aquaponics’, dhe të ngjashme duhet ta zënë vendin kryesor në ketë ekonomi të re. Në artikujt në vazhdim do të japim më shumë informacione se si mund të ndërtohen këto sera inteligjente në kushtet shtëpiake dhe me investime modeste dhe të kapshme në situatën e krijuar. Këto metoda të reja garantojnë prodhim të mjaftueshëm të ushqimeve dhe mund ta çojnë Kosovën në nivel që të bëhet krejtësisht e vetëmjaftueshme në prodhimin vendor të ushqimit.
  5. Prodhimi industrial
    Edhe pa virusin Corona dhe pandemisë globale, prodhimi industrial është në rrugën e transformimit të thellë dhe të pakthyeshëm. Me revolucionin e katërt industrial që është në zhvillim të plotë, industria po pëson ndryshime rrënjësore. Ndoshta pikërisht kjo pandemi doti jep fund mënyrave të prodhimit të deridjeshëm. Linjat e Fordit nga fillimi i shekullit njëzet i dhanë fund në pak vite mënyrave të manifakturës prodhuese që ishe aq e përhapur. Automatizimi dhe robotizimi të linjave industriale nga mesi i shekullit rriti cilësinë dhe uli koston e prodhimeve industriale duke mundësuar blerjen e tyre nga masat e gjëra të popullit. Industria 4.0 do ta reformaton edhe industrinë e brishtë të Kosovës dhe do ta riorganizonte atë krahas aftësive të saj për përshtatje në ndryshime të shpejta. Mundësitë janë të shumta dhe Kosova ka potenciale sidomos tek rinia që të korrë suksese në ketë drejtim. Mundësitë e reja si fabrika mbi tavolinë ‘desktop factory’ printimi 3D, makineri të vogla dhe riciklimi i plotë janë disa nga autostradat e reja të dijës që spikasin në drejtime premtuese.
  6. Puna ne distancë dhe puna nga shtëpia
    Kuptohet se kjo do jetë një nga rrugët më të shkelura në rast se pandemia do të zgjasë por jo vetëm në ketë rast, puna në distancë dhe puna nga shtëpia janë rruga e natyrshme për uljen e kostove dhe shfrytëzimin më të mirë të resurseve. Shumë punë që deri dje i quanim ‘burokraci’ dhe që edhe sot kryhen përmes sporteleve duhen përfundimisht të kalojnë në histori dhe tu hapin rrugën shërbimeve të shpejta dhe cilësore përmes rrjetit. Për të rinjtë të pajisur me njohurinë IT, tregu është e gjithë bota dhe mundësitë janë të panumërta. Autoritetet duhen vetëm ti largojnë pengesat dhe të stimulojnë zhvillimin e tyre.
    Situata të reja krijojnë sfida të reja. Ky është rasti i parë në historinë e njerëzimit i një pandemie globale ku të gjitha shtetet pa përjashtim janë mbyllur në guaca të veta kufitare të pa precedent. Ne po mësojmë si të sillemi në ketë situate që ndoshta kemi fat të përfundojë shpejtë por edhe duhet të përgatitemi për një rast ku kjo mund të zgjasë me muaj ose edhe vite. Mbi të gjitha mund ta përdorim ketë situatë dhe të mendojmë për zgjidhje inovative që mund ta përshpejtojnë rritjen ekonomike dhe zhvillimin e tërësishëm të shoqërisë tonë.

P.S. Në vazhdim do të botoj edhe disa artikuj që përshkruajnë mënyrat konkrete si mund të realizohen në kushte shtëpiake shumë nga këto ide inovative.
Autori i këtij artikulli është më eksperiencë të gjatë ne teknologjinë industriale, menaxhim industrial si dhe projektim dhe realizim të makinerive dhe linjave prodhuese.

Leave a comment